I shkreti Lebron ku ka shkuar të luajë, Lejkërsat i mund Dallasi i Donçiçit!

Legjenda e basketbollit ishte sërish në formë dhe shpejt do t’ia dalë që të bëhet shënuesi më i mirë i historisë së NBA-së. Lebron Xhejms realizoi 26 pikë, kapi 12 topa në tabela e shërbeu 5 asistë, por sërish Los Anxhelos Lejkërsat u mundën. Disfata e gjashtë në 7 ndeshjet e fundit erdhi nga Dallasi i Luka Donçiçit që madje triumfoi në Kaliforni me shifrat 109-104. Miqtë nga Teksasi kishin epërsi të ndjeshme deri në 21 pikë, por thuajse e humbën ndeshjen pasi Lejkërsat reaguan të udhëhequr nga Lebroni. “Mbreti” i basketbollit ishte shumë mirë në gjuajtje, por nuk u ndihmua sa duhet nga Uestbruk e të tjerët. Vetëm Karmelo Entoni u ndje me 20 pikë, por mungesa e Entoni Dejvisit ndihet shumë. Tek Dallasi, Donçiç shënoi 25 pikë, por bëri shumë gabime që nuk i kushtuan ekipit të tij. Në renditje, Dallasi është në vend të 5-të në Perëndim me 37 fitore e 25 humbje, ndërsa Lejkërsat janë në vend të 9-të po në Perëndim me 27 fitore e 34 humbje.

Sfidanti.al