Në një skuadër tjetër nuk do ta kishte humbur këtë lloj ndeshjeje, aq më tepër që thuajse realizoi një tripëll dabëll. Lebron Xhejms ishte edhe një herë në nivelet e tij maksimale, përtej 34 viteve të moshës, por Los Anxhelos Lejkërsi hodhi një tjetër hap në drejtimin e gabuar, duke u mundur nga skuadra më e dobët e NBA-së. Feniks Sans përballoi “Mbretin” për të fituar 118-109, duke ia rrezikuar edhe më shumë vendin në plej of skuadrës historike nga Kalifornia.
Lebroni shënoi 27 pikë, kapi 9 topa në tabela dhe shërbeu plot 16 asistë, ndërsa u detyrua të rrinte në fushë më shumë se 40 minuta. Sërish skuadra nuk qe në gjendje ta ndiqte dhe këtu nuk ishte faji thjesht i dëmtimit të Lonzo Bollit. Brandon Ingram luajti sërish mirë duke shënuar 25 pikë, qendra Mekgi po ashtu me 21 pikë e 7 topa në tabela, por pjesa tjetër zhgënjeu. “Kemi probleme të mëdha me këtë ekip”, – ishin sërish fjalët e Xhejmsit të dëshpëruar.
Lebron mbetet një nga lojtarët më të mirë të sezonit, por Lejkërsat kanë 30 fitore e 33 humbje duke mbetur në vendin e 10-të në Perëndim, ndërsa janë për t’u luajtur edhe 19 ndeshje deri në fund të sezonit të rregullt.
Sfidanti.al