Hjustoni vendos rekordin e ri të NBA-së, Harden kalon Lebronin

Nuk pati mënyrë më të mirë për të festuar fitoren e pestë radhazi sesa kjo. Hjuston Rokits vendosi një rekord të ri të NBA-së për koshat tripikësh, duke realizuar plot 26 të tillë. Rekordi u vendos kur duheshin edhe 31 sekonda lojë, nga Majkëll Karter-Uilliams, ndërsa rreth 20 000 spektatorët në Arenë shpërthyen në brohoritje të mëdha.

Rekordi i mëparshëm, me 25 kosha, mbahej nga Klivlend Kavaliersi, vendosur në 3 mars 2017, kur në skuadër ishte Lebron Xhejms. Në një farë mënyre, Xhejms Harden fitoi një duel në distancë me basketbollistin më të mirë të botës.

Harden ishte autor i 6 koshave të tillë, ndërsa e përfundoi ndeshjen me 35 pikë, në më pak se 34 minuta lojë. Kapiteni shërbeu edhe 9 asistë si dhe vodhi dy topa. Ylli tjetër, Kris Pol, kontribuoi me 5 tripikësha të tjerë dhe shënoi 21 pikë, plus 7 asistë, ndërsa plot 8 lojtarë arritën të realizonin nga distanca.

Suksesi ishte tepër i rëndësishëm për nënkampionët e vjetshëm të Perëndimit, që po konsolidojnë bilancin tashmë pozitiv, pas një nisjeje shumë të vështirë të sezonit. Ishin 11 lojtarë që shënuan pikë ndaj Uashingtonit, ndër të cilët u dalluan edhe Klint Kapela apo Erik Gordoni.

Hjustoni ndodhet edhe në vendin e 7-të në Perëndim, pra ende larg, por është shumë pranë vendit të katërt, që mbahet nga Los Anxhelos Lejkërsat.

Sfidanti.al