Hjustoni ka dy superyje, por sa dyshime ka për fitimin e titullit!

Në basketbollin amerikan është një nga skuadrat më spektakolare. Hjuston Rokits shënon shumë pikë, godet nga distanca dhe ka lojë sulmuese spektakolare, por shpesh të shpërqëndruar. Xhejms Harden, ylli i saj i përhershëm, mendon jo pak për të qenë më i miri në NBA, për të shënuar më shumë kosha se të gjithë, por për të fituar titullin duhet një tjetër mentalitet. Ky problem për Hjustonin vazhdon edhe me ardhjen e Rasëll Uestbrukut nga Oklahoma.

Të dy yjet luajtën shumë mirë, përsa i përket statistikave, në ndeshjen në fushën e Sakramentos, por sërish Hjustoni krijoi dyshime. Edhe pse udhëhoqi me 25 pikë avantazh, sërish thuajse e humbi sfidën, duke u mbajtur “me thonj” e duke triumfuar 113-104. Harden shënoi 34 pikë dhe bëri shumë gjëra të tjera, Uestbruk shtoi 28 pikë, por sërish flitet se mungon “kimia” e duhur mes tyre. Shpesh, mediat pyesin nëse Harden do të arrijë ta ndryshojë lojën e Uestbrukut, që duket se mendon gjithashtu për shkëlqimin personal, apo për të qenë ai udhëheqësi, ndërsa tek Hjustoni nuk kanë nevojë për “dy gjela në një kafaz”. Skuadra nga Teksasi është e treta në Konferencën Perëndimore, por sërish bind më pak si pretendente se Miluoki i Antetokumbos apo Lejkërsat e Lebron Xhejmsit dhe Entoni Dejvisit.

Sfidanti.al