Harden si në shtëpi në Bruklin, çfarë dysheje me Durantin!

Një tripëll dabëll për “mëngjes”. Kështu nisi “dita e re” e Xhejms Hardenit me skuadrën e re dhe me një fitore ndaj Orlandos. “Mjekra”, i sapolarguar nga Hjustoni, shkëlqeu në ndeshjen e parë me fanelën e Bruklin Netsave duke realizuar një paraqitje të madhe me 32 pikë, 12 topa në tabela e 14 asistë, plus 4 vjedhje topi e një bllokim gjuajtjeje. Le të themi se pati edhe momentet negative me 9 humbje topi. Harden deshi të tregonte sesa vlente ndërsa braktisja nga ana e tij e Hjustonit u komentua shumë dhe nuk u prit kudo mirë. Ai krijoi një dyshe të shkëlqyer me Kevin Durantin, ndërsa ish-kampioni i NBA-së shënoi 42 pikë, kapi 4 topa në tabela, dha 4 asistë, vodhi 2 topa e bllokoi 2 gjuajtje. Pritet sesa më i fortë do të jetë Bruklini me kthimin nga dëmtimi të Kajri Irvingut. Orlando, në mënyrë të habitshme, i qendroi fort deri në fund Netsave duke humbur vetëm 115-122. Nikola Vuçeviç ishte më i miri për miqtë me 34 pikë, 10 topa në tabela, 7 asistë e 5 vjedhje topi.

Sfidanti.al