Ishte në variantin e tij më të shquar, me nerva dhe sfidues i gjithë botës. Ljuis Hamilton nuk e përjetoi aspak mirë humbjen (vendin e dytë) në Çmimin e Madh të Britanisë në Silverstoun, pasi u nxorr nga pista që në xhiron e parë nga Kimi Raikonen. “Taktikat e kësaj skuadre (Ferrarit) ishin vërtetë interesante, – tha kampioni i botës në Formula 1, – gjithsesi, ne do të bëjmë të pamundurën që t’i përballojmë dhe të përmirësohemi në garat e ardhshme”.
“Grushti në mjekër nuk do të na rrëzojë, dhe do të vazhdojmë të luftojmë fort, – vazhdoi anglezi, – më besoni, nuk do të dorëzohem”. Hamilton krijoi polemika sepse refuzoi intervistën tradicionale menjëherë pas garës, diçka për të cilën u paralajmëruar nga Federata (FIA). Ai foli më vonë, dhe deklaroi se nuk iu shmang pyetjeve nga zemërimi.
“Unë pata një sforcim të jashtëzakonshëm, shtyva 1 000 për qind në garë, ndërsa njerëzit prisnin që të dilja, t’ua bëja me dorë dhe të buzëqeshja, veçse unë mezi po rrija në këmbë, ishte stërlodhje”, – sqaroi Ljuis Hamiltoni. Ai është 8 pikë prapa Fetelit në renditje, ndërsa pas dy javësh është Çmimi i Madh i Gjermanisë.
Sfidanti.al