Hamilton: Veprova me instinkt, kurrë nuk do të hap rrugë!

Formula 1 nuk është një shkencë ekzakte dhe e ftohtë, ndërsa janë vetë pilotët që krijojnë historinë e tyre. Që nga duelet e egra mes Airton Senës e Alen Prostit, agresivitetit të Najxhëll Mansellit, sfidës pa kufi mes Mikael Shumaherit e Zhak Vilnëvit, apo përplasjeve mes Fernando Alonsos e Ljuis Hamiltonit, ky sport është i mbushur me sulme pa kompromis, me parakalime e kundër parakalime, si dhe me aksidente. Ajo që ndodhi mes Ljuis Hamiltonit dhe Maks Verstapnit në kthesën Korps (Corpse) të pistës së Silverstonit ishte ngjarja e radhës, për fat të mirë pa pasoja për pilotët, konkretisht për holandezin e Red Bullit.

Me siguri, Hamilton pati fajin e tij përderisa u dënua me 10 sekonda vonesë, por gjithsesi edhe Verstapeni nuk mbeti prapa duke i zënë rrugën në një vend të rrezikshëm. Përderisa ai doli nga gara dhe shkoi në spital, nuk kishte se çfarë dënimi të jepej për të. Hamiltoni përfitoi dhe Mercedesi i tij nuk e la në baltë, edhe pse shleu 10 sekondat, dhe u ndodh në vend të katërt 15 sekonda prapa Sharl Lëklerkut të Ferrarit. “Mendoj se Verstapeni nuk duhej të ishte aq agresiv, – tha Hamiltoni më pas, – ai po ecte rrotë më rrotë me mua, një situatë e mrekullueshme. Unë pashë që kishte hapësirë dhe veprova. S’ka njeri që nuk e di se pilotët e Formula 1 janë agresivë. Unë pëlqej të garoj me të, dhe do të jetë gjithnjë kënaqësi, por unë nuk do të tërhiqem kurrë, nuk do të shantazhohem kurrë dhe nuk do të hap rrugë”.

Sfidanti.al