Hamilton triumfon në Kanada, tani Fetel është vetëm 12 pikë larg!

Mjaftoi një garë e vetme që diferenca me kreun të përgjysmohej. Një fitore dhe një Çmim i Madh shumë i mbarë për Ljuis Hamiltonin që e sheh veten vetëm 12 pikë larg Sebastian Fetelit në garën për titullin kampion në Formula 1. Piloti anglez i Mercedesit u nis shkëlqyeshëm dhe zhvilloi një garë të përsosur, duke udhëhequr nga fillimi deri në fund, ndërsa gjermani i Ferrarit e pati shumë më të vështirë.

Të dyja makinat e kuqe kishin start për t’u harruar, duke u kaluar nga disa rivalë. Më pas, Fetel qe i pafat pasi u dëmtua nga Maks Verstapen i Red Bullit. Piloti holandez u detyrua të dilte për fare nga pista, ndërsa Fetel shkoi në ndalesë për të ndrequr defektin në makinë. Kjo bëri që të zbriste në vendin e 18-të dhe u desh një reagim prej kampioni nga gjermani që të rikuperonte.

Pas 70 xhirove me impenjim maksimal dhe me shpejtësi të lartë, pesë herë kampioni i botës arriti të shpëtonte gjysmën e diferencës, falë një fundi dramatik. i ndodhur në vendin e 7-të disa xhiro përpara përfundimit, fillimisht ai përfitoi nga gabimi i Raikonenit, dhe pastaj nga dueli i pilotëve të Fors Indias, Perez dhe Osoa, duke arritur t’i parakalonte të dy. Në mbyllje, Fetel doli i katërt, pas Hamiltonit, pilotit tjetër të Mercedesit, Valteri Botas, dhe Daniel Riçiardos së Red Bullit. Renditja pas 7 garave: Fetel 141 pikë, Hamilton 129.

Sfidanti.al