Skuderia italiane arkivon një të diel larg pritshmërive dhe sheh drejt garës më të rëndësishme të sezonit. Piloti anglez e ka me të tijtë. Një pod i humbur, ndoshta diçka më shumë. Ky është thelbi i deklaratave të Lewis Hamilton, Charles Leclerc dhe Frederic Vasseur pas garës së Holandës. Piloti anglez e ka me të tijtë, më saktë me strategjinë e skuadrës në këtë garë.
“Në këtë sport, në fund të fundit, nuk mund të jesh perfekt. Në thelb, strategjia jonë ishte e mirë dhe e pranuar nga të gjithë, por në këtë rast unë isha më i shpejtë se Charles. Humba disa sekonda pas tij në një moment vendimtar të garës për shkak të një vendimi të gabuar të skuadrës. Dhe ky vendim më humbi podin. Të gjithë në Maranello po bëjnë një punë të jashtëzakonshme dhe azhornohemi për çdo garë me të rejat që na lejojnë ne pilotëve të synojmë maksimumin me këtë makinë”.
Është e qartë pakënaqësia e Lewis Hamilton, i cili gjatë garës ishte protagonist i një dialogu me tone të ashpra në radio me drejtuesit e Ferrarit. “Po më trajtoni si një kavie, apo çfarë? Çfarë po ndodh? Për sa kohë do të më mbani jashtë?” – ishin fjalët e 7 herë kampionit të botës në Formula 1. Vasseur për këtë çështje u shpreh: “Për sa i përket Hamilton, ishte një moment delikat. Me të kishim vendosur që të shkonim deri në fund, por nuk donim që t’ua bënim të ditur kundërshtarëve tanë dhe kështu u krijua një keqkuptim”.

