Erling Haaland surprizon me ndryshimin drastik në pamje

Erling Haaland ka surprizuar tifozët me një ndryshim të dukshëm në pamje, vetëm pak orë para debutimit të Manchester Cityt në sezonin e ri të Premier League. Sulmuesi norvegjez është shfaqur me flokë shumë më të shkurtër, duke lënë pas stilin e gjatë biond që prej vitesh ishte kthyer në një nga tiparet më të dallueshme të imazhit të tij. Transformimi nuk kaloi pa u vënë re në rrjetet sociale, teksa Haaland publikoi në Instagram pamjen e re, duke shkaktuar reagime të shumta nga fansat.

Ndryshimi vjen edhe pas një këshille që futbollisti kishte treguar se kishte marrë nga Zlatan Ibrahimovic gjatë Botërorit. Suedezi i kishte sugjeruar të mos i priste flokët, duke bërë shaka se “fuqia është te flokët”. Megjithatë, Haaland këtë herë vendosi të bëjë të kundërtën dhe të shfaqet me një stil krejtësisht të ri.

Pamja e re ka nxitur shumë komente nga tifozët, të cilët kanë vënë në dukje ndryshimin e madh në krahasim me paraqitjen e tij të mëparshme. Tashmë mbetet për t’u parë nëse ndryshimi i look-ut do të shoqërohet edhe me një nisje të fortë të Haaland në sezonin e ri me Manchester Cityn.