Hamilton këmbëngul: Vasër, i duhuri për ta ngritur Ferrarin!

Ferrari kishte mbërritur me pritshmëri të mëdha në Silverston, pistën e shtëpisë së Luis Hamiltonit, por shpresat e “kokëkuqes” u shkatërruan nga një garë e zhvilluar nën shi.

Vendi i katërt i pilotit britanik përmirësoi pjesërisht një bilanc negativ, ndërsa e ardhmja e Frederik Vasërit në krye të ekipit vazhdon të jetë me shumë pikëpyetje. Francezi, në fakt, mund të largohet nga roli i drejtorit të skuderisë në fund të vitit 2025. Një hipotezë që vetë Hamilton e kundërshton, pasi e shikon shefin e skuadrës si njeriun e duhur, me të cilin Ferrarin mund të ngjitet në majë.

Luis nuk ka dyshime, Ferrari duhet të vazhdojë me Vasërin në krye: “Mendoj se Fred është vërtet njeriu i duhur për të na çuar në majë. Gjithashtu, për këtë arsye po punoj sa më shumë që të jetë e mundur për ta mbështetur atë dhe për të bërë ndryshimet e nevojshme, të cilat nuk janë të pakta”. Këto fjalë i bëjnë jehonë asaj që tha një muaj më parë, gjatë fundjavës në Kanada, kur Hamilton pranoi: “Më pëlqen të punoj me Vasërin, ai është arsyeja pse jam këtu dhe dua të vazhdojmë së bashku. Ai ka mbështetjen time të plotë”. Përveçse ndihet i lidhur me drejtorin francez, Hamilton duket se ndien edhe përgjegjësinë për të marrë rezultate me Ferrarin. Një rrugëtim që ka nisur me shumë vështirësi, por që është ende shumë stimulues për shtatë herë kampionin e botës: “Fred më solli te Ferrari, kështu që i detyrohem shumë. Sapo mbërrita në ekip, pashë se sa i shkëlqyer është organizimi dhe si është ngritur struktura. Ata që kanë mbërritur së fundmi kanë një perspektivë të re krahasuar me ata që janë këtu prej vitesh dhe mund të identifikosh anën pozitive, por edhe aspektin negativ shumë qartë”.

PASIGURIA – Për Vasërin, ky është vlerësimi i dytë i rëndësishëm i marrë ditët e fundit. Një javë më parë, kolegu dhe rivali i tij, Toto Volf, drejtor i Mercedesit, e quajti Vasërin si një nga më të mirët në rolin e tij. Megjithatë, e ardhmja e francezit te Ferrari mbetet e pasigurt. Pas një viti kalimtar 2023 dhe një viti  2024 të shkëlqyer, të mbyllur me 5 fitore dhe vendin e dytë për konstruktorë, ekipi i Maranelos synonte të konfirmonte rolin e tij udhëheqës. Por deri më tani, rezultatet kanë qenë nën pritshmëritë, vetëm fitorja e Hamiltonit në Sprintin e Kinës këtë sezon, është shumë pak për një ekip si Ferrari. Ndërsa në gara “kokëkuqja” numëron gjithsej vetëm 4 podiume në 12 raunde, të gjitha të arritur nga Sharl Lëklerk, por pa asnjë fitore.

sfidanti.al