Nuk ishte dita e kampionit në Formula 1. Treshja e parë e provave zyrtare të Çmimit të Madh të Meksikës kishte emrat e Maks Verstapenit, Sharl Lëklerkut dhe Sebastian Fetelit, jo atë të Ljuis Hamiltonit, por sërish anglezi mund të hapë shampanjën ditën e sotme. Rëndësi padyshim që ka pozicioni që do të zerë në përfundim të garës, por sidomos nëse e lë pas Valteri Botasin me 14 pikë. Një skenar i tillë do ta shpallte Ljuis Hamiltonin kampion të botës për të 6-ën herë në karrierë.
Kjo do të thotë se 34-vjeçari duhet të jetë në një nga tre vendet e para, ndërsa në nisje do të jetë i katërti (të paktën sipas rezultatit të provave zyrtare), pas Verstapenit, Lëklerkut e Fetelit. Diferenca e tij me Red Bullin e holandezit ishte gati gjysmë sekondi, ndërsa largësia nga Ferrari i Lëklerkut afërsisht ¼ se sekondit.
“Më ka marrë malli për një “pole position”, – tha Hamiltoni më pas, – por, përgjithësisht jam i kënaqur. E dinim se nuk ishte pista jonë, por e Red Bullit, ndaj duhet të them se jemi në pozicion të mirë”. Botas është i gjashti, por me përplasje. Makina u dëmtua shumë dhe zëvendësimi i pjesëve mund ta zbresë me 5 vende, ose ta detyrojë të niset nga vendi i furnizimit. Hamilton kryeson renditjen me 338 pikë ndaj 274 të Botasit, shokut të tij tek Mercedesi.
Sfidanti.al