Levandovski mund të mos jetë Gerd Myler, por vazhdon rekordet

Askush nuk është si ai në Bundesligën. i ardhur nga Polonia vetëm për 4.5 milionë euro në vitin 2010, Robert Levandovski sot është bërë një legjendë e gjallë në kampionatin gjerman. Me golin e shënuar ndaj Unionit të Berlinit, ai u bë i pari dhe i vetmi lojtar që realizon në 9 ndeshje radhazi në fillim të sezonit, duke thyer rekordin e mëparshëm mbajtur nga Pjer-Emerik Obamejang i Dortmundit, dhe të cilin ai e kishte barazuar para pak ditësh.

Në sezon ka 19 rrjeta në 13 ndeshje, duke qenë më i miri në Europë, dhe duke qenë shpresa më e madhe e Bajernit për sukses. Trajneri Niko Kovaç, në një masë jo të vogël, ia detyron sulmuesit polak faktin që nuk është më pranë shkarkimit. Natyrisht, Levandovski nuk do ta barazojë dot rekordin më të madh, atë të golave gjithsej shënuar në Bundesligë, që e mban Gerd Myleri me 365. Nuk do të barazojë dot as efikasitetin e “Bomberit të Kombit” me 0.85 gola për ndeshje, pasi ai ka 0.72.

Sidoqoftë, Leva është vetëm 5 gola larg legjendës Jup Hajnkes, ish-trajnerit të tij tek Bajerni, që e nxiti të mos shkonte në Spanjë, por të kalonte pikërisht atë. Hajnkes ka shënuar 220 rrjeta, polaku ka 215. Me gjasë, Levandovski do të kalojë edhe numrin 2 të të gjitha kohëve, Klaus Fisherin që ka 268 rrjeta, edhe pse do të jetë e vështirë. Sulmuesi ka disa parakalime për të bërë edhe në Champions, ku ka 58 gola, dhe është vetëm 2 gola larg Karim Benzemasë. Raul Gonzales është në kuotën 71, ndërsa të paarritshëm janë vetëm Kristiano Ronaldo e Lionel Mesi.

Sfidanti.al