Kjo ndodhi përpara Çmimit të Madh të Brazilit. Ljuis Hamilton u ndje padyshim tepër krenar për një dhuratë krejt të veçantë që i bënë në Interlagos. Nipi i legjendës Huan Manuel Fangio, kishte udhëtuar që nga Argjentina, për t’i dhënë Ljuisit trofeun që iu dorëzua Fangios kur fitoi titullin e pestë botëror. Jo keq, kur një argjentinas i jep një dhuratë një anglezi!
Më pas, Hamilton garoi në pistë dhe fitoi, ndërsa ishte duke humbur. Një gafë e rëndë e pilotit jashtë pretendimeve, Okon, bëri që Verstapen të humbiste kryesimin dhe kampioni i botës të përfitonte për suksesin e 10-të sezonal dhe të 72-in në karrierë. Gjithsesi, 33-vjeçari është duke menduar seriozisht për holandezin.
“Verstapen është një pilot shumë i talentuar dhe një konkurrent i fortë, – tha Hamiltoni, – është vetëm 21 vjeç dhe luftoi shumë fort këtë vit duke arritur dy fitore. Pres që vitin tjetër, ai dhe Red Bulli të jenë konkurrentë po aq sa Mercedesi dhe Ferrari, dhe kjo do t’i bëjë mirë Formula 1”.
Sfidanti.al