Hamilton e pranon: Kjo ishte një garë tepër e vështirë

Rrugëtimin për tek titulli i 8-të botëror e nisi siç duhet edhe pse nuk pati makinën me të vërtetë më të shpejtë. Ljuis Hamilton e fitoi Çmimin e Madh të Bahreinit në Formula 1 duke triumfuar në një garë për infrakt ndaj Maks Verstapenit, e duke treguar se nuk ka humbur asgjë nga cilësitë e mëdha që e kanë bërë 7 herë kampion të botës. Ai përballoi xhirot e fundit, rraskapitëse kur makina e tij Mercedes i pati gomat “fushë”, dhe kur Red Bulli i holandezit mund ta kalonte në çdo moment. Anglezi realizoi një nga paraqitjet e tij më të shkëlqyera në mbrojtje në karrierë, dhe më pas pranoi sesi ishte ndjerë.

“Oh, sa e vështirë që ishte, – tha 36-vjeçari, – e dinim sesa e vështirë do të ishte duke e bërë më herët ndalesën tonë, por ne duhej të provonim për të dalë në krye, për t’i qendruar afër Maksit. Red Bulli pati një paraqitje mahnitëse gjatë gjithë fundjavës, dhe unë thjesht duhej ta përballoja në fund. Një nga garat më të vështira që mbaj mend kohët e fundit”. Vetë Verstapen ishte i zhgënjyer. “Një mëkat i madh, – tha ai, – por, duhet ta shohim në aspektin pozitiv. Ne po i sfidojmë ata (Mercedesin) dhe mendoj se ishte një fillim i madh i sezonit. Morëm pikë të rëndësishme dhe unë jam optimist”.

Sfidanti.al