Hamilton: Dominim në Hungari? Prisni një garë shumë më të fortë!

Është një pistë jo shumë “e bukur”, por ka qenë gjithnjë shumë e mirë për Ljuis Hamiltonin, Mercedesin, madje edhe Meklarenin. Kampioni i botës ka fituar 7 herë në Çmimin e Madh të Hungarisë, duke lënë në vend të dytë me 4 fitore legjendën Mikael Shumaher, dhe provat e para të lira në Hungaroring e konfirmuan afinitetin e tij me pistën e Europës Qendrore. Ai la pas, për fare pak, Valteri Botasin, ndërsa makinat Red Bull e Ferrari ishin 1 sekondë prapa.

Hamilton nuk mori pjesë në seancën e dytë të provave të lira, që u zhvillua nën reshje të shiut e që u fitua nga Sebastian Feteli me Ferrarin, por besohet se e zgjodhi vetë që të mos sforcohej. Në reshje shiu, ai e tregoi veten në Austri që është më i mirë nga të gjithë pilotët. Gjithsesi, Hamiltoni deklaroi se nuk duhet pritur një garë e lehtë të dielën. “Mos e merrni si të mirëqenë rezultatin e sotëm, – tha ai, – mos u bazoni shumë tek ai. Skuadrat e tjera kanë bërë prova për aerodinamikën, karburantin, motorin”. Gjithsesi, Hamiltoni dominoi edhe pse kishte gomat më të forta nga të gjithë.

Sfidanti.al