Stafeta tashmë i ka kaluar brezit tjetër. Kampionet e mëdha si Serena Uilliams, motra e saj Venusi apo Maria Sharapova, mund të jenë të qeta sepse tradita do të vazhdojë. Kjo u kuptua në finalen e US Openit ku fitoi me meritë përfaqësuesja më e shquar e gjeneratës së sotme, Iga Shviontek. Tenistja polake ia doli ndaj një tjetër emri të ri dhe tepër të veçantë si Ons Zhaber e Tunizisë. Kampionia e re 21-vjeçare triumfoi 2-0, me rezultatin e seteve 6-2 e 7-6, në një finale që zgjati thuajse 2 orë. Pasi pati një shëtitje të vërtetë në setin e parë, Shvionteku u detyrua të sforcohej në maksimum në të dytin.
“Nuk është se prisja shumë nga ky turne, – tha kampionia e re, – sepse zhvillohet në një kohë me shumë probleme. Po ashtu, pasi fiton një Grand Slem është shumë e vështirë të jesh në maksimum. U përpoqa të isha e qetë dhe e përqëndruar. Nuk ishte e lehtë, për më tepër jemi në Nju Jork, një çmenduri e vërtetë. Qyteti të tërheq shumë, por më në fund ia dola. Jam shumë e lumtur. Rivaliteti me Zhaberin ishte i madh dhe besoj do të kemi sfida të tjera në të ardhmen. Shpresoj të arrij të fitoj disa prej tyre”.
Sfidanti.al