Golden Stejti dhe Kërri janë kthyer në kohët e lavdishme

Është ende shumë shpejt dhe nuk mund të nxirren përfundime, por gjithsesi është një kënaqësi që i sheh kështu. Golden Stejti ka vetëm Stefën Kërrin dhe Drejmond Grinin nga “garda e vjetër”, ende jo kapitenin e dëmtuar Klej Tompson si dhe të larguarin e madh, Kevin Durant, por po fitojnë si dikur. Suksesi i fundit ishte 119-107 në fushën e Sakramentos ku Kërri gaboi shumë (9 gjuajtje të realizuara nga 23, 4 tripikësha nga 15), por sërish shënoi 27 pikë, kapi 7 topa në tabela e shërbeu 10 asistë. Nota e tij ishte 14, ndërsa Xhordan Pul shënoi 22 pikë, Uigins 17 e Grin 14. Të gjithë basketbollistët e golden Stejtit shënuan pikë, ndërsa ekipi kalifornian ka 3 fitore në 3 ndeshje, madje që të treja jashtë fushe. Kërri është një nga shënuesit më të mirë deri tani me 31 pikë për ndeshje, dhe është në 5 lojtarët më të mirë të NBA-së.

Sfidanti.al