Humbja e Hjustonit dhe fitorja e vet bëri që kampionët të ndryshonin renditjen e NBA-së. Pas një fillimi të vështirë, Golden Stejti, ashtu si Klivlendi, po u tregojnë të tjerëve se kush kanë qenë skuadrat më të mira të basketbollit amerikan këta vite. Uorriorsit ia dolën edhe pa Stefën Kërrin, që mbetet disi i dëmtuar dhe që trajneri Kerr nuk dëshiron ta rrezikojë.
Në Oklend, ndaj Lejkërsave, Golden Stejti fitoi sërish derbin e Kalifornisë falë Kevin Durantit, por edhe falë të tjerëve. Durant shënoi 33 pikë, kapi 7 topa në tabela, dha 7 asistë, vodhi dy topa ndaj kundërshtarëve dhe u bllokoi atyre 4 gjuajtje, duke humbur vetëm një top nga ana e tij. Një paraqitje “yjore”, por që u ndihmua nga Drejmond Grin (13-11-7-2), Xhordan Bell që shënoi 20 pikë e kapi 10 topa në tabela dhe kapiteni Klej Tompson me 16 pikë.
Kajl Kuzma shënoi 27 pikë për Lejkërsat dhe Lonzo Boll 24, në një ndeshje që nisi mirë për ekipin nga Los Anxhelosi, vazhdoi shkëlqyeshëm për Golden Stejtin që dominoi periodën e dytë dhe të tretë, por me periodën e katërt ku miqtë u afruan deri në 3 pikë. Gjithsesi, Uorriorsit kanë tani 26 pikë dhe 6 humbje, me Hjustonin që po ashtu ka 6 humbje, dhe me ekipet e Lindjes që kanë bilanc më të keq.
Sfidanti.al