Golden Stejt harron Detroitin ‘në kurriz’ të LA Klippers

Golden Stejt e harroi humbjen e pësuar nga Detroit dhe këtë e bën duke fituar derbin e Kalifornisë me Los Anxheles Klippers. Në ‘Staples Center’ skuadra kampione në fuqi e NBA iu imponua ekipit kundërshtar teksa e fitoi ndeshjen 141-113. Stiven Kërri ishte në një ditë shumë të mirë në këtë sfidë në të cilën shënoi 31 pikë, ndërkohë që dha kontributin e tij edhe Kevin Durant me 19 pikë të shënuara.

San Antonio bie edhe në Boston. Në TD Garden, Seltiks u shfaq superior ndaj teksanëve dhe e fitoi këtë ndeshje me rezultatin 108-94. Kajri Irving shënoi 24 pikë në këtë ndeshje duke u bërë ai lideri u skuadrës nga Masaçusets në këtë përballje. Është një fitore shumë domëthënëse për Bostonin që nuk fitonte ndaj San Antonios që nga viti 2011. Në të njëjtën kohë ky sukses i dha mundësinë Seltiks që të marrë kryesimin në Konferencën e Lindjes së bashku me Detroit dhe Orlandon.

Filadelfia pushtoi ‘Toyota Center’ të Hjustonit dhe mposhti skuadrën vendase 115-107. Ben Simons shënoi 24 pikë, rrëmbeu 7 topa në tabelë dhe dha 9 pasime dhe ishte ndër më të mirët për skuadrën e 76ers, së bashku me Xhoel Embid me këtë të fundit që e mbylli sfidën me 22 pikë. Për Rokets, 29 pikët e Xhejms Harden nuk mjaftuan që të evitonte humbjen

Sfidanti.al