Janë vetëm 3 legjenda të mëdha që kanë arritur të fitojnë 4 herë radhazi në Uimbëlldon, dhe sipas kronologjisë kohore janë suedezi Bjorn Borg, amerikani Pit Sampras dhe zvicerani Rozher Federer. Novak Gjokoviç shpreson t’u ngjajë atyre dhe ta fitojë edhe ai Grand Slemin e katërt radhazi në bar. Deri tani është shumë mirë pasi ka arritur 3 fitore, duke humbur vetëm 1 set, e duke qenë në raundin e katërt. Natyrisht, një Rafael Nadal është ende përballë tij, siç janë edhe të tjerë si Qirios apo Alkaraz, por gjithsesi tenisti nga Serbia është favoriti. Nole mundi në raundin e tretë patriotin e tij, Miomir Keçmanoviç 3-0 (6-0, 6-3, 6-4), duke e ulur ritmin në setin e tretë. “Unë duhet ta rris nivelin pas çdo ndeshjeje që kalon”, – tha Gjokoviçi më pas. Në të tetat e finaleve, numri 3 i botës do të ndeshet me holandezin Van Rijthoven.
Sfidanti.al