Gjokoviç “përmes” Federerit, drejt titullit të Parisit

E festoi siç duhet kthimin në vendin e parë të renditjes botërore, edhe pse ka edhe një hap për të bërë. Novak Gjokoviç u kualifikua për në finalen e turneut ATP Masters me fitoren ndaj rivalit të tij më të madh, Rozher Federerit. Një gjysmëfinale klasike dhe e shkëlqyer, mbi 3 orë e gjatë, që përfundoi 2-1 me sete për tenistin serb, me shifrat 7-6, 5-7, 7-6. Në finale, ai do të ndeshet me rusin Haçanov, protagonist i papritur në “Paris Bersi”.

Gjokoviç kryeson tashmë në rivalitetin me Federerin, duke pasur 25 fitore e 22 humbje, ndërsa ky në Paris ishte suksesi i 4-ët radhazi ndaj zviceranit. Gjokoviç kryeson edhe ndaj Nadalit, me 27 fitore ndaj 25 humbjeve. Ai synon titullin e 33-të ATP Masters Turi Botëror, për të barazuar rekordin e Rafael Nadalit.

Nole ka fituar deri tani 72 tituj individualë në karrierë, synon të 73-in, për t’iu afruar Rod Lejvëerit (74), Xhon Mekinroit (77) apo Rafael Nadalit (80), ndërsa Xhimi Konors është i shkëputur me 109, dhe Rozher Federer po ashtu duket i paarritshëm me 99.

Sfidanti.al