“Vritet” Skënderbeu dhe Partizani në luftën për titull të..Sinanit

Humbja dhe fitorja thonë se janë shumë afër njëra- tjetrës, por botët që “krijojnë” janë shumë larg në orbitën e futbollit. Vetëm një javë më parë, Sinan Idrizi i Flamurtarit, fill pas humbjes me Teutën ka treguar publikisht “dosjen” se arbitri Hamiti nuk gabon rastësisht me Flamurtarin, por ka diçka më të thellë, madje deri në ADN, sepse e tillë është vepra e tij kur vlonjatët i ka para syve në fushë. Sapo Flamurtari ka flakur petkun e humbësit, duke mundur rivalët e altarit, Kukësin, Idrizi as nuk dënjon të merret me vogëlsira loje , por katapulton në çështjen e madhe të titullit , duke sheqerosur kokë e këmbë edhe super…humbësit!
“Besoj se Kukësi ka një super ekip, një super tifozeri, një super president. Fati ishte me ne, bëmë një ndeshje shumë të mirë dhe kaq. Këtë vit kampionati do diskutohet midis Flamurtarit dhe Kukësit”. Sikur t’i thonin në Tiranë apo në Korçë këto fraza hiperbole me 3 herë “super” për rivalët e sfiduar , do të thonin se loja më hipokrizinë është më spektakolare se loja me topin. Fjalët super të ëmbëla kanë tingëllimë tjetër, plot rezonancë, kur vijnë nga Vlora. Lëre pastaj kur dalin nga goja e shefit vlonjat, që na kishte mësuar të tundej dheu kur qëllonte me shuplaka vlonjate vetë “mbretin”, pa lënë të kuptohej se do të vinte dita e “mirëkuptimit me zotat”, ku të jepet e drejta sublime që të parathuash edhe emrat e atyre që do të luftojnë për titull. As Skënderbeu, as Partizani, por qënka vetëm Kukësi dhe Flamurtari! Duket si një super-përrallë, por ne vdesim për ato , edhe më shumë sesa për vetë topin…
Sfidanti.al