Gjindet uniforma sportive e vjedhur e Tom Brejdit… në Meksikë!

Kur angazhohet e gjithë logjistika policore e Teksasit, shto këtu edhe FBI-në, është e qartë se mund të gjesh gjithçka që dëshiron. Autoritetet amerikane njoftuan, dje, me kënaqësi të madhe se kishin gjetur uniformën sportive të Tom Brejdit që u vodh gjatë festimeve të fitores së Superboulit amerikan. Brejdi, disa orë pas fitimit të trofeut të kësaj kupe madhëshore të futbollit amerikan, zbuloi se kishte mbetur pa uniformën sportive që ai kishte mbajtur në ndeshjen fantastike, të cilën ekipi i tij, Nju Inglënd, e fitoi ndaj Atlantës. Dhe, kështu që policia amerikane filloi, menjëherë, hetimet, duke e gjetur atë, më në fund, në… Meksikë.

“Duke pasur parasysh se kjo uniformë u vlerësua me 500 000 dollarë, menjëherë, u përcaktua se bëhej fjalë për një vjedhje të rëndë, kështu që gjetja e saj u bë prioritet kryesor. Ne, me krenari, mund të bëjmë të ditur se sendi i vjedhur u gjet dhe do t’i kthehet të zotit”, njoftoi policia e Teksasit. Jozyrtarisht, mësohet se vjedhja ishte kryer nga një gazetar që nuk ishte nga SHBA-ja dhe ai arriti që, krahas uniformës së lartëpërmendur, të vidhte edhe disa “suvenire” të tjerë nga dhoma e zhveshjes së ekipit Nju Inglënd.

sfidanti.al