Ish-kampioni i botës në shah Gari Kasparov ka më shumë se 12 vite që nuk luan shah profesionist. Por, organizatorët e serisë shahistike “Grand Chess Tour” njoftuan, këto ditë, se në turneun amerikan të shahut të shpejtë ose blic, në Sent Luis, do të marrë pjesë edhe kampioni i 13-të i botës, Gari Kasparov, që, kështu, do të mund ta rifillojë karrierën e vet shahistike. Më 2005, Kasparovi bëri të ditur se kishte vendosur që të largohej nga shahu i madh dhe që, atëkohë, ai ka marrë pjesë vetëm në disa konkurrime ekzibicioniste. Veç kësaj, deri më 2010, ai ka qenë trajner personal i mjeshtrit të madh norvegjez, Magnus Karlsen, shahisti më i mirë i botës gjatë dhjetëvjeçarit të fundit.
Kasparovi mori një nga katër ftesat e veçanta “Wild Card” për turneun e Sent Luisit, ku do të marrin pjesë, gjithashtu, shahisti aktual nr.2 në rejtingun shahistik botëror, Hikaru Nakamura, si edhe shahistët e njohur rus dhe indian, përkatësisht, Sergei Karjakin dhe ish-kampioni i botës Vishvanatan Adnan. “Duket se unë do të rris moshën mesatare të shahistëve pjesëmarrës dhe do të ul nivelin e rejtingut!”, shkroi, me këtë rast, në profilin e tij në Twitter vetë Kasparovi që, në fakt, tani, nuk ka asnjë rejting zyrtar. Gari Kasparovi u bë kampion bote, më 1985, kur mundi në metçin historik rusin Anatoli Karpovin. Që atëkohë deri më 2006, vetëm ai e kryesoi ranglistën e FIDE-s. Rejtingu i tij rekord prej 2851 ballësh, i vendosur më 1999, u thye vetën më 2013 nga Magnus Karlseni.
Sfidanti.al