Formula 1 bën skuadrat me dhimbje koke, tri gara në 3 javë në 2018!

Do të rikthehet një nga pistat më klasike në histori, ajo e Çmimit të Madh të Francës. Formula 1 mirëpret, pra, garën më të vjetër automobilistike në botë, të nisur që në vitin 1906, dhe të ndërprerë në 2008 për shkak të financave dhe mosgjetjes së pistës së përshtatshme. Kënaqësia është e madhe, veçse ngjeshja që do të pësojë kalendari do t’i bëjë skuadrat me dhimbje koke. Kjo, sepse do të ketë tri gara në vetëm tri javë, Franca në 24 qershor, Austria në 1 korrik dhe Britania në 8 korrik.

Jo vetëm kaq, por në kalendar kthehet Çmimi i Madh i Gjermanisë në Hokenhajm që do të jetë në korrik, dhe po në korrik do të jetë Çmimi i Madh i Hungarisë. Pra, pesë gara do të jenë në vetëm 6 javë, diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë në Formula 1, siç nuk kanë ndodhur 3 gara në 3 javë.

Vitet e fundit Çmimi i Madh i Francës është lidhur me pistën e Manji-Kurit, ndërsa sezonin që vjen do të jetë në pistën Pol Rikard. Gjatë 102 viteve të aktivitetit (86 gara), Çmimi i Madh i Francës është mbajtur edhe në pistat Reimsit, Ruenit, Sharadës dhe Dizhon-Prenuasë, por fillimisht garat kanë qenë në rrugë publike si në Lë Man, Diep, Dizhon, Lion, Strasburg dhe Tur.

Sfidanti.al