Fetel i tërbuar me Mercedesin: Pse luajtën lojën në dimër?!

Nëse ka një njeri që u ndje i mashtruar pas dy ditësh provash në Çmimin e Madh të Australisë në Formula 1, ky ishte katër herë kampioni i botës, Sebastian Fetel. Piloti i Ferrarit shpërtheu me shumë maraz ndaj taktikave të Mercedesit që, sipas tij, luajti një lojë të pandershme gjatë dimrit duke e quajtur veten inferior ndaj skuadrës italiane.

“Ku janë tani ato budallallëqe që u thanë më parë? – tha gjermani, – gjatë gjithë kohës u fshehën, por tani janë në ritmin e tyre të zakonshëm. Kjo nuk është normale”. Fetel mbeti në vend të tretë pas provave zyrtare në Melburn, me më shumë se 7 të dhjetat prapa Hamiltonit, dhe më shumë se 4 të dhjetat pas Valteri Botasit, edhe ky i Mercedesit. “Ne mund të fitojmë të dielën, pasi gjithçka mund të ndodhë, por Mercedesi është favorit”, – ishin fjalët e pilotit ferrarist pas provave zyrtare.

Fetel ka të drejtë të ndihet i habitur dhe i mashtruar, por edhe sporti profesionist nuk mund të ndryshojë shumë nga realiteti i bursave dhe i ekonomisë, ku “dështimi i njërit, është fitore për tjetrin”. Vetë futbolli e shpreh shumë qartë me fjalinë “i iku për shalësh”, pra e mashtroi. Fetel ndoshta e di se edhe Ferrari, apo çdo skuadër tjetër në Formula 1, ka përdorur taktika të tilla si Mercedesi sot.

Sfidanti.al