Ishte gara e tij e 155-të në sportin e shpejtësisë, dhe më në fund erdhi diçka krejt e veçantë, që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Karlos Sainz arriti fitoren e parë të karrierës, duke qenë në timonin e Ferrarit, dhe atmosfera ishte ajo e duhura për të festuar. Plot 142 000 tifozë ishin në tribunat e pistës së Silverstounit në Çmimin e Madh të Britanisë, ndërsa piloti spanjoll pati sukses të dyfishtë sepse zuri vendin e parë edhe në provat zyrtare të së shtunës. “Ne ia dolëm, – thirri 27-vjeçari në radio, – fitorja e parë, arritur me Ferrarin dhe në Silverstoun, nuk mund të kërkoja më shumë”. Sainzi nuk është në garë për titullin, teorikisht këtë e bën shoku i tij i ekipit, Sharl Lëklerk, por që humbi një rast të madh në Angli. Kampioni i botës në Formula 1 dhe kryesuesi i Botërorit, Maks Verstapen, pati një garë të tmerrshme duke dalë vetëm në vend të 7-të, por nuk u dëmtua shumë. Në podium ishin edhe Sergio Perez i Red Bullit dhe papritur Ljuis Hamiltoni me Mercedesin. Verstapeni kryeson Botërorin me 181 pikë pas 10 garave, ndaj 147 të Perezit dhe 138 të Lëklerkut.
Sfidanti.al