Ferrari – ultimatum Fetelit: qetësohu ose largohu!

Presidenti i Ferrarit, Serxho Markione, vuri në dukje se nuk do t’i tolerojë më gabimet e Sebastian Fetelit, duke theksuar se ky autist gjerman duhet të qetësohet, nëse dëshiron që të qëndrojë në ekipin e këtij klubi. Katër herë kampioni i Formulës 1 nuk besojmë se ka arsye që ta mbajë mend për të mirë vitin 2016, gjatë të cilit ai jo vetëm që nuk arriti t’i udhëheqë autistët e tjerë të ekipit të tij drejt fitores në garat e zhvilluara, por ka bërë edhe një numër gabimesh, duke u bërë një nga personazhet më pak të dashur në Formulën 1. Do të mbahen mend “takimet e afërt” të tij me Kuajtin në garat e Rusisë dhe të Kinës, përplasja me Rozbergun në Malajzi, si edhe goditja e kolegut të tij të klubit, Kimi Raikonen, në garën e Belgjikës. Këtu, duhet të shtohen edhe ofendimet që Feteli bëri në adresë të Alonsos, duke e quajtur këtë të fundit idiot, si edhe sharjet dhe ankesat për autistët e tjerë. Në fakt, Feteli, gjatë vitit që po mbyllet, ka pasur edhe përformanca të shënuara, si për shembull, në garën e Abu Dabit, kur ai e ruajti ritmin deri në fund me Mercedesin, por, megjithatë, në Ferrari nuk janë të kënaqur me rezultatet e tij, për më tepër, me sjelljen këtij gjermani 29-vjeçar dhe drejtuesit janë në dilemë, nëse do të duhet që ta vazhdojnë bashkëpunimin me të (Fetelin).

“Në këtë moment, nuk ka kuptim që ne me Fetelin të fillojmë bisedimet për vazhdimin e kontratës. Fillimisht, ne duhet të përcaktojmë sesi do të rrjedhë bashkëpunimi me të më 2017. E dimë se Feteli dëshiron që të fitojë me Ferrarin, por a mund t’i garantojmë ne atij fitoret? Nga ana tjerër, ai duhet ta ngasë bolidin (makinën) e tij shumë më me gjakftohtësi, që të mos tregohet aq agresiv dhe që ta kontrolljë sjelljen e tij”, deklaroi presidenti i Ferrarit.

Sfidanti.al