Ferrari shkëlqen me Raikonenin, por a i besohet Mercedesit?!

Ljuis Hamilton la prapa gjithë të tjerët në ditën e parë të provave dhe në paraditen e së dytës, por pasdite fuqinë e pati Ferrari. “Njeriu i akullt” Kimi Raikonen dhe kohën 1’20”960, duke qenë më i shpejtë sesa Hamilton i paradites për 23 të mijtat e sekondës. Jo vetëm kaq, por finlandezi kishte goma të buta, ndërsa anglezi goma super të buta, që tradicionalisht japin shpejtësi më të madhe, por ndodhi e kundërta. “Kokëkuqja” kryesoi të paktën për disa orë.

Në një Formula 1 ku Mercedesi ka tre vjet që dominon, ndërsa katër vitet e tjera kanë qenë të Red Bullit, njerëzit kanë harruar se Ferrari mban rekordin për tituj. Jo më kot, triumfi i fundit është pikërisht ai i Kimi Raikonenit në 2007, pra 10 vjet më parë. Që nga ajo kohë, fitoret kanë shkuar tek Meklareni (Hamilton), Brauni (Baton), Red Bulli (katër herë Fetel) dhe Mercedesi (dy herë Hamilton, një herë Rosberg).

A mund të thuhet se Ferrari po i jep fund dominimit të Mercedesit, ashtu si skuadra gjermane ndërpreu sundimin e Red Bullit? Është ende shpejt për të folur, pasi këto janë vetëm dy ditët e para të provave në Monmelo të Barcelonës. Gjithsesi, në 70 vjetorin e themelimit të skuadrës, italianët do të duan të reagojnë fort. Jo më kot presidenti Markione thotë se “këtë vit nuk duhet të turpërohemi dhe kjo është e rëndësishme”.

Sfidanti.al