Sharl Lëklerku bën gabime, por është gjithashtu shumë i talentuar dhe e tregoi në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Spanjës në Barcelonë. Piloti nga Montekarlo e drejtoi shumë mirë Ferrarin e tij në xhiron vendimtare në çastet e fundit duke lënë pas Maks Verstapenin e duke marrë vendin e parë. Pra, monegasku do të niset nga vendi i parë në garën e sotme. Çdo të thotë kjo për garën për titullin botëror në Formula 1? Është e qartë se Ferrari është makinë shumë e mirë, ndonëse Red Bulli ka treguar shpesh se është më e shpejtë në rrugë të drejtë, siç ndodhi në Itali herën e fundit. Lëklerku dha kohën 1’18”750, duke e lënë holandezin kampion të botës rreth 3 të dhjetat prapa. Forma e “kokëkuqes” u duk nga vendi i tretë i Karlos Sainzit që ishte vetëm 93 të qindat prapa Verstapenit. Pritet një garë shumë më e mirë nga Mercedesi që është afruar me më të shpejtët, edhe pse ishte Xhorxh Rasëll që fitoi betejën e brendshme me Ljuis Hamiltonin duke dalë i katërti e duke lënë pas Sergio Perezin e Red Bullit. Lëklerku kryeson Botërorin me 104 pikë ndaj 85 të Verstapenit.
Sfidanti.al