E tha me të drejtë kampioni i botës se “duhet të jem i kënaqur me kaq sa kam arritur, të paktën për momentin”. Maks Verstapen e ka të qartë sesa e vështirë është të luftohet në pistën e Majemit me një Ferrari që zuri dy vendet e para në provat zyrtare, edhe pse diferenca mes makinave është shumë e vogël. Sharl Lëklerk, kryesuesi i renditjes së Botërorit, doli i pari me kohën 1’28”796, duke lënë në vend të dytë shokun e ekipit, Karlos Sainz me +190 të mijtat, ndërsa Verstapeni me Red Bullin ishte diçka më pak se 2 të dhjetat prapa. Do të ndikojë shumë nisja, strategjia dhe përvoja e pilotëve, por Ferrari duket se është rikthyer pas dështimit në Çmimin e Madh të Emilia Romanjës. Mirë duket edhe Ljuis Hamilton me Mercedesin që doli në vend të 6-të me 8-9 të dhjetat më shumë sesa piloti nga Montekarlo. Gjithsesi, anglezin e kaloi ish-shoku i skuadrës, Valteri Botas me Alfa Romeo. Lëklerk kryeson me 86 pikë ndaj 59 të Verstapenit.
Sfidanti.al