Fernando Alonso e zyrtarizon; do të garojë në Indy 500 me Arrow McLaren SP

Mbyllen përfundimisht lajmet spekulative në lidhje me Fernandon Alonso. Piloti spanjoll zyrtarizoi pjesëmarrjen në garën e Indy500 të këtij viti dhe këtë ai do ta bëjë me skuadrën e Arrow McLaren SP.

‘Tingëllon shumë bukur. Është një ndër garat ikonë në kalendarin e motorsportit. Jam shumë I lumtur që do të mund të kthehem në Indianapolis në muajin maj pas problemeve që para vitin e kaluar-tha Alonso në një intervistë për rrjetin televiziv amerikan NBC-këtë radhë kthehem me dëshirën për të bërë mirë dhe për të fituar garën’.

Asturiani kujtoi eksperiencën e vitit 2017 ku kryesoi garën për 27 xhiro me Andretti McLaren  deri në momentin kur u thye motori I tij Honda.

‘Në momentin që përjeton eksperiencën e parë në këtë garë, të mbetet përgjithmonë në zemër-vijoi Alonso-tifozët janë fantastikë, spektakolarë, të pabesueshëm dhe kur je brenda në garë e kupton se është ndër eventet më të mëdha. Në 2017 pata mundësinë të udhëhiqja garën dhe të jem kompetitiv dhe garimi në pistat ovale është shumë e ndryshme nga pistat e tjera’.

Gjithsesi Alonso nuk do të garojë në të gjithë kampionatin, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që ai të bëjë disa gara test përpara se të zbarkojë në Indianapolis për kualifikueset zyrtare të Indy500.

Sfidanti.al