Sikur janë të destinuar nga fati. Me gjasë askush nuk u habit që Karlos Alkaraz fitoi titullin në US Open, edhe pse ishte shumë i ri dhe krejt pa përvojë. Adoleshenti spanjoll, që i mahniti të gjithë me nivelin dhe talentin, mposhti norvegjezin e fortë, Kasper Rud, duke justifikuar të gjitha parashikimet që e shohin si “djalin e artë të ri të tenisit”. Pasardhësi i denjë i Rafael Nadalit është shpresa e madhe që po realizohet e sportit spanjoll. Alkaraz fitoi 3-1 në “Arenën Arthër Ejsh” të Nju Jorkut, dhe setet ishin 6-4, 2-6, 7-6 e 6-3. Në fillim të vitit, ai ishte numri 32 në botë, ndërsa tani u ngjit deri në majë. Spanjolli u bë i pari në historinë e tenisit që në moshën 19-vjeçare fiton US Openin dhe bëhet numri 1 në botë. Gjithsesi, Alkarazi foli së pari për përvjetorin e sulmit të 11 shtatorit.
“Unë dua të flas për këtë ditë që ka mbetur në histori, dhe është shumë e vështirë që kjo e sotmja të jetohet si ditë normale, – u shpreh ai, – unë jam bashkë me ju në këtë ditë. Natyrisht, është diçka shumë e madhe të fitosh një Grand Slem, të jesh numri 1 i botës. Kam punuar shumë për këtë ndaj edhe emocionet e mia janë shumë të forta”.
Jehona mediatike ishte natyrshëm shumë e madhe. “Mbreti Karlos i Nju Jorkut, – shkruan “Deili Meil” nga Anglia, – Sensacioni 19-vjeçar spanjoll mund Kasper Rudin, më i riu në majë të botës”. “Mbreti i ri”, – është edhe theksimi i të përditshmes spanjolle “AS”, që mburr shpresën e re të tenisit iberik dhe botëror. “Djalosh i vogël, çfarë ke arritur të bësh, – titullon “Marka” e Madridit, – i gjashti tenist spanjoll që arrin në majë të botës!” Edhe prestigjiozja franceze “L’Ekip” nga Parisi lavdëron yllin e ri të tenisit botëror: Alkarazi në majë! Ky ishte titulli i parë i madh i adoleshentit, për të cilin parashikohet një e ardhme e madhe.
Sfidanti.al