Feniksi mund Jutën për 8 fitore radhazi, shkëlqen Bukeri!

Kundërshtari sërish nuk kishte dy lojtarë dhe ata ishin ndër kryesorët, Donovan Miçëll e Rudi Gober. Gjithsesi, kur një ekip fiton 8 ndeshje radhazi dhe suksesin e fundit e arrin në fushë kundërshtare, kjo nuk mund të nënvleftësohet. Feniks Sansët fituan në fushën e Juta Xhazit 105-97, të ndihmuar nga një Devin Buker në formë “qiellore”. Ylli i ri dhe kryesor i ekipit nga Arizona shënoi 43 pikë dhe barazoi rekordin e karrierës me 12 topa në tabela, duke pasur edhe 4 asistë. Ai gjuajti me saktësi 57 për qind nga aksionet, ndërsa në krah pati si përherë Kris Polin me 21 pikë, 4 topa në tabela e 5 asistë. Lojtarët e tjerë nuk bënë aq shumë, por nuk ishte nevoja. Juta Xhazi ndjeu mungesën e yjeve, ndërsa Bojan Bogdanoviç nuk ishte në mbrëmjen e tij. Klarkson, Konlej dhe Uajtsajd ishin të vetmit që u përpoqën. Feniksi është ekipi më i mirë në NBA deri tani, në krye të Perëndimit me 38 fitore e 9 humbje, ndërsa Juta është në vend të katërt po në Perëndim.

Sfidanti.al