Federeri s’di te plaket : Mos u shqetësoni, kthehem më i fortë më 2019-ten!

Tenisti zviceran Rozher Federer nuk ka ndërmend që të heqë dorë nga lufta për majën e tenistit, ndërsa thotë se ai ndjen veten mirë, madje do të jetë edhe më mirë në të ardhmen e afërt. Në fakt, në pjesën e dytë të këtij sezoni performanca e tij në fushat e tenisit nuk ishte kushedi se çfarë dhe ai ra në vendin e 3-të të listës së ATP-së, ndërkohë që në turneun përfundimtar të mjeshtrave në Londër ai humbi në gjysmëfinale nga gjermani Aleksandër Zverev.
Sidoqoftë, sikurse thotë ai vetë, Federeri nuk ka ndërmend që të dalë në pension, ndërsa ai paralajmëroi se do ta vazhdojë luftën për kreun e tenisit botëror edhe në vitin 2019.
“Pit Samprasi ka thënë në një rast: Nëse ke fituar një turne Grand Slem, atëherë, ke pasur një sezon të mirë. Unë luajta super në Australia Open këtë vit, por unë nuk mund ta arrijë atë formë çdo muaj”, tha Federeri, duke shtuar se ai ishte disi i zhgënjyer sesi e mbylli këtë sezon. “Sidoqoftë, konkurrenca ka qenë shumë e fortë dhe unë e ndjej se mund të vazhdoj të avancoj e të fitoj”, tha tenisti zviceran.
Sfdanti.al