Tenisti australian, Xhon Milman, ofroi një nga befasitë më të mëdha në turneun e fundit Grand Slam, US Open, duke fituar me rezultatin 3-1 (3-6, 7-5, 7-6/7, 7-6/3) dhe duke eliminuar kështu Rozher Federerin.
Tenisti zviceran, mbas humbjes nga Milmani në 1/8 e finaleve të turneun në fjalë, deklaroi se arsyeja kryesore për humbjen e tij ishin kushtet në “Artur Esh” që ishin të padurueshme për trupin e tij.
“Unë pata probleme me kushtet. Ishte, me të vërtetë, nxehtë dhe kishte lagështirë, shkurt, mua më mungonte oksigjeni. Unë ndjehesha keq gjatë të gjithë kohës dhe humbisja energji. Në dallim nga unë, Xhoni i përballoi shumë më mirë këto kushte, ndoshta, sepse ai vjen nga vendi më me shumë lagështi në botë. Unë jam i dëshpëruar, por edhe i kënaqur që kjo ndeshje mbaroi”, deklaroi Federeri.
Në çerekfinale, Milmani do të ketë përballë tenistin serb, Novak Gjokoviç, që do të jetë një rast i mirë për tenistin australian që të ngrihet edhe më lart në tenisin botëror. Tani për tani, Milbani është tenisti nr.55 në listën e ATP-së (Shoqatës së Tenisit Profesionist).
Sfidanti.al