Pole position rekord për Lewis Hamilton që të dielën do të nisë garën në vijën e parë të startit në Silverstone, pistën e shtëpisë së tij. Për pilotin britanik bëhet fjalë për pole positionin e tij të 91 në karrierë, që u shoqërua edhe me një kohë rekord teksa e përshkoi pistën për 1 minutë 24 sekonda e 303 të mijtat. Mercedes pushtoi vijën e parë të startit teksa Valtteri Bottas u pozicionua në vendin e dytë, ndërkohë që kohën e tretë më të mirë e regjistroi Max Verstappen. Holandezi do të ketë përkrah Ferrarin e Charles Leclerc.
Ajo e kësaj të shtune ishte pole position i 7 për Lewis Hamilton në pistën e Silverstonë në të gjithë karrierën e tij me britanikun që e realizoi kohën fituese vetëm në xhiron e fundit në sesionin e tretë të kualifikueseve duke e bërë shokun e tij të skuadrës Bottas të kënaqet me vendin e dytë me 313 të mijtat më shumë.
Në vijën e dytë me kohën e tretë më të mirë është Max Verstappen me Red Bull, ndërkohë që Leclerc shënoi kohën e katërt më të mirë. Për të parë makinën tjetër Ferrari, atë të Sebastian Vettel duhet të zbresim në vendin e 10 me mbi 2 sekonda më shumë. Vetëm vendi i 7 për Carlos Sainz që në 2021 do të jetë pjesë e Kokëkuqes italiane, ndërsa Nico Hulkenberg që mori vendin e Perez te Racing Point, do të niset nga vendi i 13 në garë
Sfidanti.al