Ka dy situata shumë interesante që edhe mund të ndodhin në përfundim të Çmimit të Madh të Abu Dabit në Formula 1. Niko Rosberg dhe Ljuis Hamilton mund ta përfundojnë kampionatin botëror me pikë të barabarta, dhe atëherë pyetja normale është: Cili do të dilte kampion?
Barazimi me pikë mund të ndodhte vetëm 373-373, ose 367-367. Në rastin e parë, Hamilton do të dilte i dyti, ndërsa Rosberg i shtati. Kjo situatë do të nxirrte kampion të botës anglezin, pra do t’i jepte titullin e katërt në karrierë, pasi do të kishte më shumë vende të treta sesa gjermani (4-2). Fitoret do të ishin të njëjta, nga 9, vendet e dyta të njëjta nga katër.
Në barazimin e dytë, me nga 367 pikë, kampion do të dilte Rosberg. Kjo do të arrihej vetëm nëse Niko do të dilte jashtë zonës së pikëve, ndërsa Hamilton do të ishte i katërti. Me nga 9 fitore secili, Rosberg fiton me më shumë vende të dyta (4-3). Gjithsesi, të dy pilotët e Mercedesit duan që të fitojnë garën. Nëse e bën Niko, del kampion, nëse e bën Ljuis, varet se në çfarë vendi do të mbërrijë shoku i tij i skuadrës.