Jo vetëm Reali dhe CSKA-ja. Shtatë nga 8 çerekfinalistët e Euroligës në basketboll për meshkuj, tashmë dihen. Enigma e vetme është se kush do të jetë i kualifikuari i fundit. Për momentin, vendin e tetë e mban kampionia e Serbisë, Crvena Zvezda me 15 fitore e 13 humbje, kur duhen edhe dy javë deri në fund të fazës së rregullt. Darushafaka e Stambollit ka një fitore më pak, në vend të 9-të, ndërsa Zhalgiris i Kaunasit nga Lituania është në vendin e 10-të me 13 fitore e 15 humbje.
Të kualifikuara janë dy skuadra spanjolle (Real e Baskonia Vitoria), dy turke (Fenerbahçe dhe Anadolu Efes), dy greke (Olimpiakos e Panathinaikos) dhe CSKA e Moskës. Rusët janë edhe kampionë të Europës në fuqi, ndërsa në javën e fundit (të 28-ën) fituan derbin rus ndaj Uniksit, brenda në Kazanj, 85-74. Nando De Kolo me 22 pikë dhe Millosh Teodosiç me 12 pikë e 12 asistë ishin më të mirët për moskovitët. Reali arriti një fitore të madhe në Greqi ndaj Olimpiakosit, 79-73, ku Randolf dhe Jul shënuan nga 21 pikë.
Sfidanti.al