Reali hodhi një hap të madh drejt kalimit për në “katërshen finale” të Euroligës, pasi fitoi ndeshjen e egër ndaj Panathinaikosit në Madrid. Nuk ishte i zakonshmi Luka Donçiç që dha shembullin këtë herë, dhe kjo natyrshëm pasi 19-vjeçari mund të jetë ndjerë i lodhur pas një sezoni të gjatë si protagonist.
Skuadra e trajnerit Pablo Laso u tërhoq përpara nga amerikani Xhejsi Kerrëll, që shënoi 17 pikë, dhe nga spanjolli Sergio Jul, që shënoi vetëm 8, por dha 4 asistë dhe luajti fort në mbrojtje. Grekët u treguan rivalë të denjë, edhe pse tani janë në humbje 1-2 dhe mund të eleminohen nëse humbin ndeshjen e radhës po në Spanjë. Nik Kalathes shënoi 26 pikë, kapi 3 topa në tabela e shërbeu 4 asistë, ndërsa Xhejms Gist realizoi 15 pikë, e Majk Xhejms shtoi 14.
Në derbin moskovit, këtë herë fitues doli Himki, që shfrytëzoi faktorin fushë. Mbi 6 300 tifozë e ndihmuan që të thyente CSKA-në e plotfuqishme 79-73 dhe të mbetet me shpresë për finalet. Ylli i kombëtares ruse, Aleksei Shved shkëlqeu me 27 pikë, 4 topa në tabela, 4 asistë e 1 vjedhje topi, ndërsa shumë mirë luajti amerikani Entoni Xhil (22 pikë, 7 topa në tabela, 2 asistë).
Për CSKA-në sërish nuk luajti francezi i dëmtuar, Nando De Kolo, ndërsa nuk mjaftuan amerikanët Higins (26 pikë) e Hanter (16 pikë) si dhe spanjolli Rodrigez (15 pikë, 4 topa në tabela, 8 asistë). CSKA kryeson 2-1, por edhe ndeshja e katërt do të luhet në fushën e Himkit.
Sfidanti.al