Euroliga, CSKA e Fenerbahçe më pranë finaleve

CSKA e Moskës dhe Fenerbahçe e Stambollit janë më pranë arritjes së finaleve të Euroligës sesa skuadrat e tjera. Kampionia e Rusisë fitoi edhe ndeshjen e dytë në derbin moskovit ndaj Himkit, ndonëse sërish e pati shumë të vështirë, duke ia dalë 89-84. Ishte sërish Sergio Rodrigez që udhëhoqi ekipin me 26 pikë të shënuara, 4 topa në tabela e 10 asistë, plus 2 vjedhje topi. Mirë luajtën edhe amerikanët Higins, Klajbërn apo Hanter, si dhe rusi Antonov. Ylli kryesor i ekipit, Nando De Kolo, mungon për 3 javë për dëmtim, dhe shpresohet të jetë gati për në plej of.

Fenerbahçe po ashtu udhëheq 2-0 ndaj Vitoria Baskonias së Spanjës, pas suksesit 95-89 në Stamboll. Ishin gati 13 000 tifozë fanatikë që shtynë përpara skuadrën e trajnerit Zheljko Obradoviç, që nuk e pati aspak të lehtë. Amerikani Uonëmejkër dhe çeku Veseli ishin më të mirët për vendasit, përkatësisht me 19 e 16 pikë.

Reali i Madridit reagoi pas shkatërrimit që pësoi në takimin e parë ndaj Panathinaikosit në Pallatin e Sportit “Paqja e Miqësia” në Athinë. Spanjollët barazuan shifrat duke fituar faktorin fushë, pas suksesit 89-82. Këtë herë nuk ishte Luka Donçiç më i miri (8 pikë, 5 topa në tabela, 4 asiste, 1 vjedhje topi), por Felipe Rejes me 18 pikë, Xhejsi Kerrol me 17 pikë, Gustavo Ajon (8 pikë, 6 tabela, 5 asistë) apo Rudi Fernandez.

Edhe Zhalgiris duket se kërkon të kthehet tek lavdia e dikurshme. Lituanezët, gjithsesi, pranuan humbjen në ndeshjen e dytë në fushën e Olimpiakosit, 68-79, dhe do të shpresojnë të mbarojnë punë në Kaunas. Me 5 lojtarë të huaj në formacion, por më pak se ekipet e tjerë, Zhalgirisi shpreson, ndërsa në Pire më të mirët ishin Dejvis (20 pikë) e Miçiç (13). Për Olimpiakosin, shkëlqyen amerikani Meklin dhe ylli vendas, Vasilis Spanulis. Ndeshjet e treta do të luhen në 24 e 25 prill.

Sfidanti.al