Ekëlstouni i bashkohet korit të kundërshtarëve të Ljuis Hamiltonit

Ka qenë pronari i Formula 1 dhe padyshim një biznesmen tepër i suksesshëm e me nuhatje. Berni Ekëlstoun është tërhequr tashmë nga ky sport dhe i ka shitur aksionet e tij, por kjo nuk do të thotë se ai nuk është i vëmendshëm me atë që ndodh dhe i paangazhuar. Së fundmi, veterani anglez vuri në shënjestër Ljuis Hamiltonin duke e kritikuar për sezonin e vështirë që po kalon (“disa gjëra mund t’i kishte bërë më mirë”), duke thënë edhe se fitoret e kaluara të tij kanë qenë të lehta. “Makina e tij ishte superiore dhe ai nuk kishte nevojë të lodhej shumë”, – ishin fjalët e Ekëlstounit. Në këtë mënyrë, me qëllim apo jo, ai është bashkuar me kritikët e 7 herë kampionit të botës. Gjithashtu, ai e kritikoi përfshirjen e Hamiltonit në Lëvizjen “Jetët e zezakëve vlejnë” duke theksuar me dinakëri se shumë njerëz po bëjnë para të madhe, ndërsa ai po përdoret nga ata. Edhe më parë, Ekëlstouni ka qenë kundër lëvizjes, ndërsa pozicioni i tij si një njeri që ka jetuar në elitë për shumë dekada, ndoshta e bën të natyrshme këtë “tëhuajësi” të tij me lëvizjet për të drejtat e njeriut.

Sfidanti.al