Dramë në NBA, Denver ia del mbi Uesbrukun e Pol Xhorxhin

Pol Xhorxh mendoi se e kishte dërguar ndeshjen në shtesë me një tripikësh në sekondat e fundit. Ylli i Oklahomës me të drejtë u ndje mirë, ndërsa ishte autor i 43 pikëve në një mbrëmje të madhe dhe të vështirë në fushën e Denverit. Për dreq, duhej të ndihej shumë keq vetëm pak sekonda më vonë, kur Nikola Jokiç gjeti Geri Harrisin me një pasim mjeshtëror dhe ky i fundit shënoi tripikëshin e fundit të ndeshjes pikërisht ndërsa dëgjohej sirena që mbyllte lojën. Ishte pikërisht Harris, që përpara ndeshjes ishte në dyshim për të luajtur.

Denveri fitoi 127-124, duke lënë pas dy humbje radhazi po në sekondat e fundit, dhe duke qenë mbi Los Anxhelos Klipersat në vendin e 8-të dhe të fundit në Perëndim, që të kualifikon për në plej of. Oklahoma pësoi humbjen e dytë radhazi, pas 8 fitoreve njërën pas tjetrës.

Ndeshja pati disa protagonistë të mëdhenj. Pol Xhorxh shënoi 43 pikë, pati 5 topa në tabela, 5 asistë, 2 bllokim gjuajtjesh. Rasëll Uesbruk iu afrua fare pranë tripëll dabëllit të radhës me 20 pikë, 21 asistë dhe 9 topa në tabela. Për fatin e Denverit, vendasit patën një Nikola Jokiç të mrekullueshëm. Lojtari shtatlartë dhe shumë i talentuar serb shënoi 29 pikë, kapi 13 topa në tabela dhe shërbeu 14 asistë, një tripëll dabëll i shkëlqyer, plus bllokoi një gjuajtje dhe vodhi dy topa.

Sfidanti.al