CSKA e Moskës mbetet njëra nga pretendentet kryesore për të fituar sërish titullin kampion të Europës në basketboll për meshkuj, edhe pse jo e vetmja. Skuadra e madhe ruse triumfoi thellësisht në Gjermani, ndaj Broze Basketit të Bambergut, me shifrat e frikshme 92-76, duke mbetur në krye të renditjes. Moskovitët u udhëhoqën sërish nga francezi Nando De Kolo me 20 pikë, 15 pati amerikani Klajbërn, 14 spanjolli Sergio Rodrigez dhe nga 12 amerikani tjetër Higins dhe rusi Semjon Antonov. CSKA ka të njëjtin numër pikësh (9 fitore, 2 humbje) me Olimpiakosin e Pireut, por një pikaverazh shumë më të mirë, +127 ndaj +39.
Olimpiakosi triumfoi në fushën e vet në sfidën e madhe ndaj Realit të Madridit që është “në rënie të lirë”. Grekët ia dolën përpara gati 11 000 tifozëve me rezultatin 92-83, me liderin e tyre Jorgos Princezis (21 pikë, 7 topa në tabela, 2 asistë, 1 vjedhje topi), por edhe me lojtarë të tjerë të dalluar si Strelnieks, Papanikolau, Milutinoviç apo Meklin. Për Realin nuk mjaftuan Donçiç (autor i 33 pikëve, 6 topave në tabela, 4 asisteve) dhe Xhejsi Kerrëll (24 pikë).
Në vend të tretë është Fenerbahçe e Stambollit, kampionia në fuqi e Europës. Formacioni i drejtuar nga trajneri i madh, Zheljko Obradoviç, pati një fitore prestigji, më të madhe edhe se ajo e CSKA-së në Gjermani. Shifrat 83-68 u arritën ndaj Barcelonës, brenda në “Palau Blaugrana”, falë një loje të madhe si skuadër. Greku Slukas, amerikanët Uonëmejkër e Nanëlli, çeku Veseli dhe italianët Datome e Meli ishin pak si shumë për katalanasit.
Fitore e madhe edhe për Crvena Zvezdën e Beogradit që arriti një fitore me rekord, 100-81 ndaj Anadolu Efesit të Stambollit. Kurrë më parë, serbët nuk kishin shënuar kaq shumë pikë në një ndeshje të Euroligës pa kohë shtesë. Amerikani Feldein ishte më i miri me 29 pikë, shumë mirë edhe amerikani tjetër Roçesti, si dhe serbët Dangubiç, Dobriç e Bjelica. Gjithsesi, Zvezda mbetet në vendin e 12-të ndër 16 ekipe, ndërsa vetëm 8 kualifikohen për në çerekfinale.
Sfidanti.al