Ç’shaka! Fjuri e quan luftën me Xhoshuan, ngjarjen më të madhe sportive në histori!

Jemi mësuar me deklaratat shpërthyese të boksierëve, edhe në të kaluarën, ndërsa shumica prej tyre kanë dalë shashka, ose batuta të shëmtuara, qoftë ato të Muhamed Aliut apo të Majk Tajsonit. Gjithsesi, Tajson Fjuri dëshiron të thyejë një rekord, ndërsa thotë se ndeshja e tij e peshave të rënda profesioniste ndaj Entoni Xhoshuas do të jetë ngjarja më e madhe sportive në historinë e botës. Edhe nëse do të ishte fjala vetëm për boksin, kjo vështirë se do t’i qendronte analizës më të thjeshtë historike.

Boksi profesionist ka pasur ndeshje të mëdha që nga Muhamed Aliu me Soni Listonin (pa shkuar më herët), Aliu me Foremanin, Tajsoni me Holifildin apo me Ljuisin, për të arritur në ditët tona me duele emocionuese si ato Kanelo Alvarez-Mejuedhër apo Kanelo Alvarez-Golovkin. Fakti është që Fjuri do të ndeshet me Xhoshuan në 14 gusht në Arabinë Saudite. Fjuri është kampion i botës në federatën WBC, ndërsa Xhoshua ka brezat e artë në WBA, WBO dhe IBF. Që të dy janë britanikë dhe kjo ia shton interesin betejës.

Sfidanti.al