Natyrisht flasim për yjet kryesorë të këtij sporti, pasi mbi dy rrota nuk mund të ketë shumë milionerë. Gjithsesi, çiklizmi është duke hyrë me shpejtësi në rrugën që prej kohësh ka nisur futbolli, pasi heronjtë tashmë mund ta kenë xhepin plot. Fituesi i Turit të Francës për dy edicionet e fundit, slloveni Tadej Pogaçar, ka firmosur një kontratë të re me skuadrën e tij, UAE, me rrogë 6 milionë euro në vit, deri në 2027. Kjo do të thotë se për 5 sezone çiklistike ai do të fitojë 30 milionë euro, ndërsa ka thyer rekordin që e mbante britaniku Kris Frum që arrinte në 5.5 milionë euro në vit. Shumë pranë Frumit është edhe rroga e Peter Saganit. Shumë kanë ndryshuar kohët që nga epoka e Edi Merksit, legjendës më të madhe të këtij sporti. Siç thoshte vetë “kanibali” belg, “unë duhej të garoja shumë që të fitoja aq sa për të jetuar mirë, në një vit zhvillova 195 gara, ndërsa sot ka më shumë stërvitje dhe më pak gara”. Sot, Merksi vlen 20 milionë euro, por këto i ka fituar më shumë pasi e la çiklizmin në 1978.
Sfidanti.al