Çfarë NBA-je, thuajse nuk mjaftuan as 42 pikët e Kërrit!

Kishte mbetur vetëm gjysmë sekonde (po, po, kaq!) dhe ndeshja ishte në barazim në “Orikëll Arina” (Oracle Arena). Golden Stejti, aq i fuqishëm, nuk po mundej të kalonte dot Los Anxhelos Klipersat në fushën e vet, dhe nuk i kishin bërë punë as pikët e shumta të Stefën Kërrit e Kevin Durantit.

Pikërisht në atë gjysmë sekonde, Kërri lëshoi gjuajtjen e fundit, duke i shpëtuar mbulimit të mbrojtësve gjigandë, dhe arriti të shënonte koshin e fitores. 129-127! Në një ligë që pëlqen sulmin dhe jo mbrojtjen, kaq shumë u shënuan pa pasur nevojë për kohën shtesë.

Kërri realizoi 42 pikë gjithsej, Kevin Durant “i mbajti ison” me 35 pikë e 12 topa në tabela, Drejmond Grin i shënoi 14 pikët e tij, dhe kapiteni Tompson edhe 12 të tjera. Në pritje të Kouzinsit, kampionët po ngjisin shkallët dalë nga dalë, por kjo NBA është bërë shumë e vështirë. Golden Stejti është në vend të dytë në Perëndim, me një humbje më shumë sesa Denveri.

Sfidanti.al