Ç’duhet të bëjë Fjuri? Babai i thotë: Vetëm Usiku është niveli yt!

Xhon Fjuri ka një mendim shumë të qartë për atë që duhet të bëjë djali i tij pasi fitoi titullin botëror WBC në peshat e rënda të boksit profesionist. Fitorja ndaj Diontej Uajlderit mund ta detyrojë Tajson Fjurin të ndeshet me sfidantin Dilian Uajt, ndërsa kampioni i trefishtë, Oleksander Usik i Ukrainës, duhet të ketë një revansh ndaj anglezit tjetër, Entoni Xhoshua, të cilit i mori 3 brezat e artë. Gjithsesi, babai Xhon nuk i ka qejf këto kombinime.

“Për mendimin tim ai duhet të ndeshet me Usikun, ose të mos ndeshet fare, – tha babai, – unë as nuk dua të merrem fare me të tjerët, ata nuk janë në nivelin e Tajsonit. A mundet që Dilian Uajt të përballojë Diontej Uajlderin? Jo! Atëherë, pse duhet ta detyroni djalin tim të ndeshet me të thjesht që ta hedhë nokaut. Ai (Uajti) u hodh nokaut nga një 42-vjeçar (rusi Aleksander Povetkin) që e goditi me shpinën e dorës. Djali im nuk do ta rrisë nivelin e lojës nga një ndeshje e tillë. Tajsoni më i mirë është vetëm ndaj më të mirëve, siç ishte sfida me Uajlderin, që ishte një betejë e madhe. Unë i kam thënë: Usikun, ose mos e vrit mendjen fare!”

Sfidanti.al