Katër humbje në 5 ndeshjet e fundit, dhe një bilanc i tmerrshëm për emrin e madh të skuadrës, dhe për yjet që ka në përbërje. Ky është realiteti për Los Anxhelos Lejkërsat, që u mundën në sekondat e fundit në derbin e qytetit nga Klipersat, 110-111. Entoni Dejvis ishte në fushë dhe shënoi 30 pikë e kapi 17 topa në tabela, por Lebron Xhejmsi mbetet i dëmtuar. Që nga 17 dhjetori, Lejkërsat kanë luajtur vetëm një ndeshje kur në parket kanë qenë edhe Xhejmsi, dhe Dejvisi, dhe pasojat dihen. Bilanci i “Liqenasve” në sezonin e rregullt është 25 fitore e 28 humbje, duke qenë në vendin e 9-të në Perëndim e duke rrezikuar të mos jenë fare në plej of. Lebroni ka 5 ndeshje që mungon dhe 4 prej tyre janë humbje, ndërsa fatkeqësia është se nuk dihet se kur do të kthehet.
Sfidanti.al